Kryeministri Edi Rama mbajti sot mbledhjen e parë me deputetët fitues në zgjedhjet e 25 Prillit. Gjatë mbledhjes ai ripërsëriti ftesën e bashkëpunimit për Partinë Demokratike.
Rama tha se gjatë këtij mandati, ndryshe nga dy të tjerët, nuk do të luftojnë me opozitën dhe nuk do bëhen pjesë e sherreve në media. (Lexo këtu)

Pas deklaratës së kryeministrit, Partia Demokratike ka reaguar me anë të një postimi në faqen zyrtare. Partia demokratike akuzon Ramën si autorin e masakrës elektorale dhe për tjetërsimin e vullnetit të shqiptarëve.
Në reagim thuhet se ata janë të vendosur të rikthejnë demokracinë në vend dhe asnjë diversion nuk do t’i ndalojë.
Deklarata e plotë:
"Deklaratë e Partisë Demokratike
Edi Rama është autori i masakrës elektorale dhe tjetërsimit të vullnetit të shqiptarëve për ndryshim. Me qëllim që të largojë vëmendjen ai vazhdon gënjeshtrat, manipulimet dhe diversionet. Vjedhja e zgjedhjeve nga Rama-Doshi-Rakipi e çuan vendin tonë drejt një masakre masive elektorale, ku viktimat janë qytetarët shqiptarë dhe e ardhmja e tyre. Detyra jonë ndaj shqiptarëve është të qëndrojmë të vendosur dhe të luftojmë fort për kthimin e demokracisë në vend. Asnjë diversion nuk do të na ndalë në këtë betejë, duke filluar me shpalosjen e fakteve, provave dhe të dhënave që dëshmojnë pëmasën e plotë të masakrës zgjedhore nga regjimi Rama-Doshi-Rakipi."

