Gjatë mbledhjes me deputetët fitues në zgjedhjet e 25 Prillit, Rama ka ripërsëritur ftesën e bashkëpunimit për Partinë Demokratike. Ai ka theksuar se ftesa e tij është e sinqertë dhe Partia Socialiste do ta vërtetojë me vepra gjatë këtij mandati.
Kryeministri është shprehur se këtë herë nuk do të luftojnë me Partinë Demokratike dhe nuk do të bëhen pjesë e sherreve në media. Ai ka shtuar se të gjitha akuzave të tyre do t’iu përgjigjen me ide dhe rezultate pune.
"A jeni gati për të braktisur llogoren e vjetër të politikës. Mandati i tretë nuk duhet t’i ngjajë dy mandateve të tjera në marrëdhënien e opozitës. Shqipëria na ka dhënë ne besimin për të udhëhequr dhe kemi një plan ambicioz për Shqipërinë. Ne nuk kemi marrë një mandat për të luftuar me PD, por për të çuar punët e mëdha deri në fund.
Nuk do e presim PD-në deri kur të lidhen me realitetin, por do jemi gati për të bashkëpunuar kur do që të jetë. Nuk do lëmë rast pa ua kujtuar me fjalë dhe pa ua kujtuar me vepra. Akuzave të tyre ne do iu përgjigjemi me rezultatet e punës, sharjeve të tyre do u përgjigjemi me idetë tona. Por kjo nuk do të thotë që do i shmangemi debatit demokratik, por nuk do marrim pjesë në debatin e llumit mediatik", ka deklaruar Rama.
