Nga Shqipëria / E Premte 7 Maj 2021, 14:02

Shqipëria del nga zona e kuqe, Manastirliu: Ja kur do vaksinohet e gjithë popullata

Shqipëria tashmë ka dalë nga zona e kuqe. Kështu tha sot ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në fjalën e saj në Kuvend duke u shprehur se situata epidemiologjike në vend është përmirësuar dhe se objektiv mbetet vaksinimi i të gjithë popullatës brenda pranverës së vitit të ardhshëm.

“Vendi ynë bazuar në të dhëna epidemiologjike ka dalë nga zona e kuqe, nga zona e riskut së covid-19 krahasuar me vende të tjera si të rajonit ashtu edhe në Europë. Kemi incidencë të ulët të javës që është mbyllur. Kemi një rënie të pozitivitetit total. Numri i pacientëve në spitale është ulur dhe dje kemi shënuar një ritëm akoma më të ulët se ditët e mëparshme, 111 të shtruar në spitalet Covid dhe në 3 spitalet rajonale. Kjo situatë është falë masave të shënjestruara që kanë synuar të kenë impakt sa më të vogël mbi përditshmërinë dhe aktivitetin e qytetarëve dhe padyshim që kanë dhënë impakt në mbajtjen e pandemisë. Duhet të theksojmë se sipas analizës së bërë nga ekspertët e shëndetit publik tashmë mund të shohim efektet e para të vaksinimit që po japin rezultat. Jemi të vendosur të rrisim disponibilitetin e vaksinave në vend me objektivin e ri për të mbërritur vaksinimin e të gjithë popullatës brenda pranverës së vitit të ardhshëm".