Klodian Elqeni, i riu që parandaloi një tragjedi në Sheshin Skënderbej, ngjarje e ndodhur në ditën e zgjedhjeve, është nderuar sot me titullin “Mirënjohja e Qytetit”. Kryebashkiaku Erion Veliaj i shprehu mirënjohjen Klodianit që shpëtoi dhjetëra qytetarë dhe fëmijë që ndodheshin në shesh ditën kur një makinë e drejtuar nga një i ri nën efektin e lëndëve narkotike po rrezikonte jetë njerëzish.
“Do të doja shumë që edhe në emër të qytetit të të falënderoja! Mund të kishte ndodhur edhe hataja me aq shumë qytetarë e fëmijë që po loznin, por na shpëtoi Zoti, se ndonjëherë Zoti çon një njeri të mirë që të shpëtojë të tjerët. Ndaj të falenderoj shumë dhe dua që në emër të qytetit të të jap këtë medalje të mirënjohjes, me shpresë që të kthehet në shembull edhe për të tjerët”, i tha Veliaj.

“Nuk e kisha menduar kurrë! Është diçka vërtet e çuditshme në një kohë kaq të shkurtër për mua, por ndjehem shumë mirë dhe shumë i vlerësuar nga shqiptarët anembanë dhe posaçërisht nga Lali Eri, kryetari ynë dhe nga të gjithë absolutisht. Ju falenderoj shumë të gjithëve”, tha Klodiani.
