Presidenti Meta kërkon hetim për fletët e votimit të shpallura të pavlefshme. Në një konferencë shtypi ditën e sotme Meta deklaroi se ka përfunduar procesi i votimit, por jo zgjedhjet dhe administrimi i votave.
Meta bëri thirrje që të mos preket asnjë kuti me vota dhe të nisë një hetim. Ndryshe nga KQZ, Meta thotë se pjesëmarrja në votime ka qenë 74%.
“Zgjedhjet nuk kanë përfunduar. Dita e votimeve po. Administrimi vazhdon. Rezultati vazhdon dhe i ka të gjitha mundësitë të jetë një rezultat vetëm paraprak sepse procesi i numërimit nuk ka përfunduar ende. Procesi i ankimit nuk ka nisur ende. Prandaj, në radhë të parë dua të falenderoj qytetarët që pavarësisht çfarë ndodhi ju përgjigjën thirrjes së presidentit, morën pjesë në zgjedhje.
Pjesëmarrja reale është 74% e qytetarëve të Republikës. Mohimi i emigrantëve që nuk patën mundësi, mohimi i gjithë qytetarëve tanë të prekur nga Covidi, por edhe arsye të tjera. Kanë marrë pjesë në votime 1.661.885, të paktën 74%.
E dyta, në këto zgjedhje kemi numër të paprecedentë të fletëve të pavlefshme dhe kushdo ka të drejtë të dyshojë se si nga 20-25 mijë që ka qenë në të kaluarën të pavlefshme, aktualisht është mbi 83 mijë apo mbi 5%. Duhet me shumë përgjegjshmëri të mos preket më asnjë kuti votimi, të mos preket më asnjë fletë votimi. Të numërohet dhe të rinumërohet gjithçka sepse pamjet filmike janë atje dhe është shumë e lehtë për të parë dhe për të bërë ekspertizën. Forcat politike të mos merren me analiza të zgjedhjeve, por t’i shërbejnë mbarëvajtjes së procesit me transparencë. Të bëhet një hetim i fletëve të pavlefshme”, deklaroi Meta.
