I ftuar në “Opinion”, Kryeministri Rama kërkoi ndjesë për tubimin e fitores ku u panë qytetarë të shumtë të grumbulluar në sheshin Skënderbej. Rama tha se menjëherë pas tij kishte pasur një komunikim me organizatorët dhe se në ato kushte ku ishte nuk mund ta anulonte takimin.

"E pranoj që ajo që ndodhi në këtë aspekt në sheshin Skënderbej ishte shkelje e pajustifikueshme për ne dhe për këtë çështje unë menjëherë mbrapa kam bërë edhe një komunikim me organizatorët, sepse nuk e kam kuptuar dot përse nuk duhej përsëritur e njëjta skenë me karrige shumë dhe me distanca. Por sigurisht që në ato kushte nuk mund të anuloja takimin dhe të thoja po largohem sepse këtu jemi në shkelje. Sepse më shkoi dhe kjo në mendje, por do ishte e tepër.
Nuk jam në dijeni të një gjobe të vendosur nga policia por di që po në këtë rast ne kemi bërë gabim dhe kjo është kundër rregullave. Tani un ë nuk po justifikohem, por realisht jam habitur përse nuk. Sepse më thanë si do jetë formati? Si herë e tjera e thashë. Mendova që ishin çuar njerëzit dhe që ishin karriget dhe më pas e konstatova që nuk ishin vënë karrige dhe nuk e kuptoj përse nuk e kishin bërë. Kështu që po, kjo është shkelje, është gabim, është faj, unë kërkoj ndjesë publike për këtë që ka ndodhur", tha Rama.
