Nga Shqipëria / E Mërkurë 28 Prill 2021, 17:05

‘Do i bëjmë letrat e pensionit’, Meta përplaset keq me Ballën: Gati të firmos dekretin e mbrojtes së Republikës

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar pas deklaratës së Ilir Metës. Presidenti tha se nuk do ta japë dorëheqjen. (Lexo këtu)

Në një postim në rjete sociale, Balla ka shkruar se sapo të mbarojë procesi i numërimit të votave do të nisin procedurat për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

“Me Baba Dridhe Liken çuditen vetëm ata që s’e kuptojnë akoma që i ka lëshuar përllumbat përfundimisht! Askush s’ka pritur të mbajë fjalën për dorëheqjen! Po ja të mbarojë procesin i numërimit dhe t’ia bëjmë gati letrat e pensionit, të pijë raki me çifteli me Saliun ke azili Lalzit,” shkruhet në postimin e tij.

Meta ka reaguar menjëherë pas deklaratës së Ballës. Ai ka bërë të ditur se është gati të firmosë dekretin për mbrojtjen e Republikës. 

“Kërcënimi i fundit, që vjen përmes Tao Taos, nga bandat e Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë ka vetëm një përgjigje: Presidenti, gati për të firmosur Dekretin për mbrojtjen e Republikës! Shqipëria e Shqiptarëve! Vdekje tradhëtarëve!”, ka shkruar Presidenti.

Balla nuk e ka lënë me kaq dhe ka reaguar sërish, me një postim tjetër në rrjete sociale. Me ironi, ai ka shkruar se Meta mund ta ketë shkruar i dehur atë status dhe i ka kërkuar të mos e përmendë më Elbasanin.

"Likja e paska tharë që në mëngjes shishen e rakisë së dëllinjës! Tani vazhdo me kumbullën Like dhe në darkë kalo ke rrushi, se LSI-së s'ke ça i pi më! Po Elbasanin mos e kujto fare se do të duhet raki pishe pastaj!", ka shkruar Balla.