Nga Shqipëria / E Mërkurë 28 Prill 2021, 15:03

Prekëse/ I vdes e ëma në duar, Elidjana: 12 vjeç kujdesesha për motrat e vëllain

Një histori tejet prekëse ka treguar sot në "Historia ime", Elidjana, 39 vjeç. Elidjana humbi nënën në moshën 12-vjeçare dhe i ati kaloi në depresion. Si më e madhja e shtëpisë është kujdesur për të tre motrat e saj dhe vëllain 2 vjeç.

"Nëna në fakt pati infarkt, më e keqja qe se isha vetëm, kur vdiq. Unë mendoja se e kisha harruar, por nuk e harroj dot. Ka qenë Nëntor i vitin 1994, nuk e harroj dot, ishte e tmerrshme. Një fëmije 12-vjeçar t’i vdesë e ëma në duar, nuk e di. Që atëherë filluan vuajtjet e mia. Motra e vogël ishte 2 vjeç e gjysmë, vëllai ishte 10, motra tjetër Marsida ishte 8 dhe tjetra 7. Kushte nuk kishim, s’kishim lavatriçe, ishim në fshat, rrobat laheshin me dorë. Unë ngrihesha herët që i bëja mëngjesin kalamajve, iknin në shkollë. Bukën e bënim vetë, kishim dhe lopë, do rregulloje lopën, do kishe punë. Klasën e 7 e lashë në gjysmë, po mendoja për fëmijët e tjerë dhe nuk mendova për veten time", tregoi Elidjana.

Babai u martua sërish dhe bashkëshortja qe mori kishte dy fëmije si dhe një fëmijë tjetër erdhi në jetë nga martesa e tyre. Elidjana kujdesej për shtëpinë dhe u detyrua ta linte shkollën ndërsa njerka punonte tokën.

Elidjanën e martuan me lajmësi, ku nga martesa erdhën në jetë tre fëmijë të cilët i ka shkolluar ndonëse me shumë vështirësi. 

Elidjana mban familjen pasi i shoqi pas një aksidenti ka dëmtuar krahun dhe nuk është në gjendje të punojë. Ajo e mban familjen vetëm me të ardhurat që nxjerr nga shitja e bimëve medicinale, të cilat i grumbullon në mal. Familja nuk merr as ndihme ekonomike dhe as kemp prandaj kërkojnë një ndihmë nga shteti.