
Pas dy ditësh, në Shqipëri ka përfunduar procesi i numërimit të votave. Qarku i fundit që është numëruar është Tirana, ku Partia Socialiste është shpallur fituese me 226842 vota (48.67%) dhe 18 mandate.
Partia Demokratike ka marrë 182335 vota (39.12%) dhe 15 mandate. Lëvizja Socialiste për Integrim është partia e tretë me 27945 vota ose 6.00%, 2 mandate në parlamentin e ri.
Në të gjithë vendin, Partia Socialiste është shpallur fituese me 768 mijë vota ose 48.68 % dhe 74 mandate. Në vend të dytë renditet Partia Demokratike me 622 mijë vota ose 39% dhe 59 mandate. Në vend të tretë renditet LSI, parti e cila ka marrë 107 mijë vota ose 6.81% dhe 4 mandate, ndërsa në vend të katërt është PSD me 35 mijë vota (2.25%) dhe 3 mandate.
Ky përfundim është i njëjtë me rezultatin e sondazheve të realizuara nga “XING.al” pak kohë më parë, ku Partia Socialiste shpallej fituese. Sipas sondazhit para votimit rezultoi që 47% e shqiptarëve do të votonin Partinë Socialiste, ndërsa 37% e tyre Partinë Demokratike.
Ndërsa sipas rezultatit të pas votimit, Partia Socialiste u votua nga 48% e shqiptarëve, ndërsa 38% e tyre votuan Partinë Demokratike.