Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Bujar Nishani ka reaguar pas humbjes në zgjedhjet 2021. Në një postim në rrjete sociale, ai ka shkruar se rezultati ka qenë një zhgënjim dhe dëshpërim për mbështetësit e opozitës.
Nishani ka bërë përgjegjës Lulzim Bashën, teksa ka deklaruar se ai po e mban peng Partinë Demokratike. Sipas tij, ka ardhur koha që kjo parti “të çlirohet nga shembulli i paaftësisë dhe të lihet e lirë për t’u ngritur në madhështi”, duke nënkuptuar largimin e Bashës.

"Të dashur miq, rezultati i zgjedhjeve ishte zhgënjim dhe dëshpërim i madh për votuesit dhe mbështetësit e opozitës si dhe një mundësi e pashfrytëzuar për ndryshimin e shumëpritur.
Qeverisja e korruptuar e Edi Ramës do të vijojë të mbajë pushtetin përsëri, pas 8 viteve të skandaleve e dështimeve !
Sot është momenti që Partia Demokratike të çlirohet nga shembulli i paaftësisë dhe modelit që po e asgjeson atë pak nga pak.
Sot është momenti që Partia Demokratike të lihet e lirë për tu ringritur në madhështinë që i takon si Parti e Lirisë dhe Rinisë.
Sot përgjegjësi kryesor i 4 humbjeve politike rradhazi vendosi ta mbajë peng Shtëpinë e Lirisë në interes të pushtetit të tij personal !
Z. Basha sot duhej të merrte përgjegjësinë e dështimit të tij personal prej 8 vitesh !
Sot Edi Rama mban peng Shqipërinë dhe Lulzim Basha tenton të mbajë peng Partinë Demokratike.
Partia Demokratike nuk është pronë personale e një njeriu.
Ajo është Shtëpia e Lirisë e qindra mijëra shqiptarëve.
Askush nuk do të mundet ta marrë atë peng për asnjë arsye, në asnjë formë e me asnjë çmim", ka shkruar ai.

