Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve me anë të një deklarate nga selia e PD-së.
Ai është shprehur se besonte se Shqipërisë do t’i rikthehej demokracia, por sipas tij Partia Socialiste ka bërë gjithçka për të shkatërruar garën elektorale. Në deklaratë Basha ka folur për blerje votash, për kërcënime dhe për një masakër të përgjithshme elektorale.
Megjithatë, ai ka shtuar se kjo i ka bërë më të fortë dhe më të vendosur se kurrë dhe se nuk kanë për t’u dorëzuar.
"Një tjetër hije po valëvitet në zemrat e shqiptarëve. A është ky muzgu i shpresës dhe ëndrrës për ndryshim për Shqipërinë demokratike normale dhe të zhvilluar, për Shqipërinë Europiane? Kemi shumë vite që luftojmë për demokracinë. U deshën shumë vite që të rrëzonim komunizmin. Beteja jonë për demokraci ka vijuar pa ndërprerë çdo çast, çdo ditë, çdo muaj, çdo vit. Edhe këto muaj e bënë betejë për demokraci. Besova se falë fuqisë së popullit tonë ne do ta fitonim dhe do t’ia kthenim Shqipërisë demokracinë. Por këtë herë kjo mjaftoi. Këto zgjedhje nuk kishin të bënin me demokracinë. Ne hymë në betejë me një regjim që bëri gjithçka për të shkatërruar garën elektorale. Ndryshuan Kushtetutën dhe Kodin Elektoral. Miliona euro të hedhura për të realizuar blerjen më të madhe industraiale të votave. Ata përdorën milionat e koncensiconeve të korruptuara, vodhën të dhënat personale të qytetarëve. Kërcënuan votuesit, administratën, mediat, duke e bërë dhe më të madhe masakrën elektorale. Edi Rama vazhdon të bashkëpunojë me përfaqësues të krimit si Tom Doshi që ka botën demokratike kundër. Pavarësisht kësaj ne sollëm një arritje të madhe dhe të jashtëzakonshme për demokracinë në Shqipëri. U bëmë më të fortë. Jemi më të vendosur se kurrë. Jemi më të vendosur se kurrë. Kushdo që mendon se do të dorëzohemi, nuk na njeh mirë. Ne do ta vazhdojmë betejën me gjithë fuqinë tonë do të vazhdojmë të luftojmë me gjithçka për demokracinë sepse misioni ynë është më i madh se të gjithë ne. Po u dorëzuam ne Shqipëria nuk ka demokraci, kjo nuk ka për të ndodhur kurrë. Dua të falenderoj anëtarët dhe mbështetësit tanë. Ne jemi më të fortë dhe më të vendosur se kurrë dhe të fortë do të luftojmë çdo çast për të mbrojtur demokracinë dhe për të sjellë bashkë një të ardhme më të mirë. Beteja vetëm ka filluar dhe ne do ta çojmë atë deri në fund. Demokracia do të fitojë dhe Shqipëria do të fitojë”, ka deklaruar Basha.
