Nga Shqipëria / E Martë 27 Prill 2021, 18:06

Rama nis festën dhe mban fjalim në sheshin ‘Skëndërbej’: Do jem aty për ju sa herë të doni

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalim në sheshin “Skëndërbej”, pas kryesimit të Partisë Socialiste. Ai është shprehur para qytetarëve se kjo fitore ka qenë më e vështira dhe më e bukura.

Rama falenderoi të gjithë popullin shqiptar, si dhe premtoi se për çdo ditë të katër viteve ai do të jetë aty në ndihmë të shqiptarëve.

“Kjo është fitorja më e vështirë, më e madhe dhe më e bukur e Partisë Socialiste. Me gjithë numrin marramendës të fletëve të pavlefshme, të atyre që kanë zgjedhur 12 por e kanë vendosur gabim. Ne e kemi thyer rekordin tonë. Ky është rekordi historik i kësaj skuadre të madhe të njerëzve të zakonshëm me fuqi të jashtëzakonshëm. Urime me gjithë shpirt dhe një përqafim të madh, juve këtu dhe kudo! Jam krenar si asnjëherë për ju që u angazhuat si patronazhistë, koordinatorë, drejtues, deputetë dhe dhatë më të mirën.
Por më shumë se asnjëherë jam krenar për shqiptarët. Shqipëria votoi, vendoi dhe Shqipëria fitoi! Fitoi karakteri ynë si një forcë e pathyeshme dhe përballë fatkeqësive natyrore, fitoi durimi ynë dhe gatishmëria jonë, fitoi forca më e madhe politike, Partia Socialiste e Shqipërisë!
Gëzuar fitoren sepse është e gjitha e juaja! Mos harroni kurrë se kjo fitore duhet merituar në çdo ditë të 4 viteve, duhet ta meritojmë me përulësi dhe respekt për këdo, pavarësisht për kë ka votuar. Kjo është fitorja ime e parë nën mungesën e dikujt që më ka ndenjur pranë gjithmonë dhe që më mungon tmerrësisht shumë. Me siguri po më shesh nga lart, nëna ime Aneta. Sot me siguri ajo është krenare për mua dhe mirënjohëse për të gjithë ju! Faleminderit me shumë mirënjohje të gjithëve! Siç ishit ju aty për mua, do jem unë aty për ju sa herë të doni, kur dhe ku të doni për çdo ditë e natë të këtyre katër viteve", është shprehur kryeministri.

Rama nuk i kurseu falenderimit edhe për familjen e tij, për fëmijët dhe bashkëshorten Linda.