Nga Shqipëria / E Diel 25 Prill 2021, 13:01

Neutralizoi shoferin që tentoi të shtypte qytetarët, flet i riu: M’u duk si akt terrorist

Një ngjarje e rëndë ndodhi sot në Tiranë, ku një makinë u fut me shpejtësi në mes të sheshit “Skëndërbej”, duke rrezikuar jetën e qytetarëve.

Një djalë 22-vjeçar i quajtur Klodian ka arritur të neutralizojë shoferin dhe të shmangë ndonjë tragjedi. Në një intervistë për mediat ai ka deklaruar se në fillim i ishte dukur si sulm terrorist dhe ka treguar si ka ndodhur e gjithë ngjarja.

“Ndihem mirë që s'pati lëndime të mëtejshme, s'pati diçka më të madhe. Erdhi një makinë e aksidentuar në drejtim të njerëzve, m’u duk si akt terrorist. U frikësuam, ai u vërsul drejt turmës së njerëzve, pasi u ndalua makina u afruam. Ai ndaloi në mes të sheshit, sepse kishte tendat përpara, ktheu makinën, i erdhën disa persona, por nuk e ndalën dot, u vërsul përballë njerëzve. Ai nuk e di ç’po mendonte po m'u duk e rrezikshme mënyra se si ecte dhe m'u duk e nevojshme të ndërhyja. Jam marrë gjithë jetën me stërvitje dhe hyra nga dritarja me këmbë, ndërkohë që makina po ecte. Pasi e neutralizova, më ndihmuan qytetarët se isha me dy këmbët në makinë. Pasi i rashë me këmbë në fytyrë, pas goditjes që mori ai sfoli fare. Se njoh fare kush është", ka deklaruar ai.

Sipas dyshimeve të para të policisë shoferi 35-vjeçar ishte nën efektin e lëndëve narkotike pasi i janë gjetur lëndë kanabis në makinë.