Aktorja shumë e dashur për publikun, Olta Gixhari ka dhënë një intervistë ekskluzive për “Revista Who”. Për herë të parë, ajo ka rrëfyer gjithçka nga njohja me partnerin.

Olta tha se është njohur me partnerin në Tiranë, por në atë kohë nuk kishin ndjenja për njëri-tjetrin. Pas shumë vitesh ata janë takuar për Krishtlindje në Madrid dhe atëherë ka nisur gjithçka.

"Në Madrid, për Krishtlindje, aty jemi takuar. Por njiheshim, nuk ishte dikush që doli nga hiçi. Diku ishim parë e takuar nëpër Tiranë, por ishte nga ato njohjet e përcipta. Nuk është se e kisha qejf dhe nuk di nëse më kishte, thjesht nuk kam pasur asnjë një mendim për të. Atë ditë që e pashë, fjalia e parë që i kam thënë ka qenë: Sa i bukur qenke bërë ti… dhe ai qeshi.
Shumë vite pa e parë, kisha harruar që ai njeri ekzistonte diku. Takimi ynë ka qenë fare i rastësishëm, si nëpër filma. Madje, miqtë që e dinë historinë tonë kanë filluar të besojnë se gjërat kanë vërtet të shkruara. Pak kohë më pas filluam të flisnim në telefon e më vonë e gjetëm veten duke i shkruar njëri-tjetrit pa pushim", ka treguar Olta.

Më tej, aktorja ka shtuar se dashuria ka qenë shkaku i largimit për në Spanjë. “Rashë shumë keq në dashuri”, është shprehur ajo.
Ajo ka treguar dhe momentin kur partneri i ka propozuar për t’u larguar: në një natë me hënë të plotë, në një lokal të vogël dhe romantik buzë detit.
"Ka qenë moment shumë romantik. Sepse ai është detajist dhe e dinte çfarë lidhje të ngushtë kam unë me detin. Ishim në një lokal të vogël, romantik, buzë detit, në një port, në Itali. Atë natë me hënë të plotë më tha: “Ti do vish të jetosh me mua”. Unë e pyeta: “Ku?”. Ai m’u përgjigj: “Kudo!” Dhe unë pranova. Kaq ishte. Vetëm kaq", është shprehur Olta.





