Nga Shqipëria / E Hënë 19 Prill 2021, 20:08

‘Më ndjekin, duan të më vrasin’, flasin babai dhe shoku i autorit të sulmit në xhami: E ka bërë dy herë

Një ngjarje e rëndë u raportua ditën e sotme në Tiranë, ku një 34-vjeçar i quajtur Rudolf Nikollaj plagosi me thikë 5 persona te xhamia “Dine Hoxha”.

Pas ngjarjes së rëndë kanë folur familjarët dhe shoku i ngushtë i 34-vjeçarit. I ati ka treguar se Rudolfi para Vitit të Ri kishte kaluar në depresion dhe ishte shtruar 5 herë në spital.

Ai është shprehur se si familje janë të besimit katolik, por një hoxhë në lagjen e tyre e kishte mësuar të birin me fenë islame. Sipas deklaratës së të atit, Rudolfi e ka përsëritur dhe më parë një sulm të tillë, por ka arritur t'i mbyllë pa probleme.

“Unë vetë jam katolik. Çunat më kërkuan mua pasi erdhi koha e demokracisë, filloi myslimanizmi, një hoxhë që rrinte këtu dhe i merrte kalamajtë e vegjël dhe me kthyer një kaur në mysliman e quante gjë të bekuar. Erdhi dhe më kërkoi mua, filloi çuni duke u fal me myslimanizmin. I thosha, bir ‘demokraci është, njerëzit katolikë janë kthyer në myslimanë’.

Ai vazhdoi dhe u mor me xhamitë. Vazhdoi shkollën, e çova për frëngjisht. Më vonë ai ishte dhe në Maqedoni. Aty nuk e di se ça i futën, ndonjë çaj, ndonjë gjë pasi çuni nuk u bë rob më. Para Vitit të Ri kaloi në depresion. I bëra letrat për të shkuar në Itali. Në kthimin mbrapsht që i kanë bërë ata në aeroport, ai kaloi në depresion komplet. Edhe u mbyll. Ishte koha e COVID-it, kaloi dhe virusin. Para Vitit të Ri e takova unë. Ishte në spital te pesa.

Nga Viti i Ri është shtruar 5 herë në spital. I kam raportet këtu. I kam ilaçet akoma këtu dhe nuk m’i pinte. Me fol me të thua se ai është gjeni. Të bëjë vaki që çuni im të rrëshqasë dhe të shkojë në vend të shenjtë, se pavarësisht se unë jam katolik, unë fenë myslimane e respektoj, prandaj i kam dhënë të drejtë pasi unë gruan e kam myslimane dhe fëmijës i kam dhënë të drejtë. S’do më shkuar në kishë, shko në xhami, por si njerëzit. Ky në xhami… e ka bërë dy herë, pavarësisht se i kam mbyllur ato probleme", ka deklaruar i ati. 

Ndërkohë, miku i 34-vjeçarit, Xhevdet Spahiu ka treguar për “Klan News” se ai kishte refuzuar të dilte me të në kafe, pasi sipas tij e ndiqnin dhe donin ta vrisnin.

Mirëpo, Spahiu ka deklaruar se këto ishin thjesht paranoja të Rudolfit pasi jeta e tij nuk ishte në rrezik.

"Unë e kam takuar rastësisht para dy javësh, këtu afër Klanit. E kam ftuar për kafe, më ka thënë që nuk ulem në kafe, mua më ndjekin, duan të më vrasin, gjëra të tilla, por ka pasur probleme, kjo është kryesorja. Edhe ngjarja për shkak të problemeve shëndetësore. Besoj që është çështje imagjinate, konspiracione, gjëra që ka menduar, nuk di ç’të them. Unë ka shumë vite që e njoh, ai ka jetuar disa vite në Angli, kur është kthyer ka shfaqur këto probleme. I sëmuri mund të jetë edhe katolik edhe mysliman, mund të jetë edhe ateist. Unë mendoj që akti është bërë për shkak se ka qenë i sëmurë. Ai përkatësinë fetare e ka katolik, por kjo pak rëndësi ka. Ai është konvertuar, por nuk besoj që ka lidhje kjo me aktin", është shprehur ai.

Burimi: "Tv Klan"