Nga Shqipëria / E Diel 18 Prill 2021, 19:07

46 ditë pas humbjes së nënës, Melinda Ademi rikthehet me një mesazh

Në fillim të muajit Mars, Melinda Ademi humbi të ëmën. Ajo u nda nga jeta në moshën 50-vjeçare, si pasojë e kancerit të gjirit.

Lajmin e hidhur e bëri të ditur vetë reperja, e cila përgjatë këtyre ditëve ka qëndruar larg rrjeteve sociale dhe gjithçkaje tjetër. Sot janë bërë 46 ditë dhe Melinda është rikthyer me një mesazh në rrjete sociale.

“Përshëndetje fansa, kolegë, shokë e shoqe,

Sot janë bërë 46 ditë nga vdekja e nënës time dhe pas shumë mesazheve e në pamundësi t’jua kthej secilit person, dua t’ju falenderoj me krejt zemër të gjithëve për përkrahjen e madhe dhe vullnetin që ma keni dhënë me çdo mesazh të mirë dhe të ngrohtë që ma keni dërgu.

Ëndrrën e nënës time që unë të vazhdoj me muzikë dhe ta bëj nënën time krenare do ta vazhdoj me plot vullnet dhe ju premtoj që do të kthehem edhe më e fortë se kurrë.

Fansat e mi të dashur, ju don Melinda shumë. Pa ju s’kisha mund me ardh këtu dhe ju premtoj që s’do t’ju dëshpëroj në asnjë mënyrë. Shihemi shumë shpejt", ka shkruar reperja.