Ka humbur betejën me Covid shkrimtari i njohur shkodran Skënder Temali. Lajmi është bërë me dije nga burime për ABC. Temali humbi jetën në moshën 75-vjeçare.
Skënder Temali për 15 vjet punoi redaktor në shtypin e Radion e Shkodrës, revistën “10 Korriku” dhe për një çerek shekulli mësues i letërsisë dhe drejtues në shkollat e mesme. Përfshihet në enciklopedi e përmbledhje të ndryshme letrare.
Krijime të tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja dhe është nderuar me çmime lokale e kombëtare si publicist e shkrimtar.
Në vitet 2013-2017 themeloi dhe kryesoi Shoqatën e Shkrimtarëve të Shkodrës, duke përmbledhur e redaktuar tri antologji voluminoze “Pena e Shkodrës” me krijime të anëtarëve. Udhëhoqi mjaft promovime librash dhe qe bashkëpunues në veprimtari të përbashkëta me organizata homologe në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni. Që nga viti 1971 botoi 20 vëllime më vete në poezi e prozë.
