Nga Shqipëria / E Martë 13 Prill 2021, 11:11

Humbi gruan nga Covidi, gjermanët ndihmojnë shqiptarin dhe foshnjën e porsalindur

Një shqiptar nga Kosova, i cili jeton në Gjermani ka humbur bashkëshorten për shkak të Covid-19, vetëm pak ditë pasi ajo solli në jetë foshnjën e tyre.

Kolegët e tij në kompaninë Odenwäller nga Butterstadt nuk e braktistën dhe i qëndruan pranë për të kaluar këtë situatë të vështirë. Ata filluan një fushatë ndihme për 30-vjeçarin dhe djalin e tij të sapolindur.

Mediat gjermane shkruajnë se çifti ishte infektuar me Covid, kur gruaja ishte në muajin e 7 të shtatzanisë. Përkeqësimi i gjendjes së nënës bëri që mjekët të ndërhyjnë dhe të sjellin në jetë foshnjën. Pavarësisht kujdesit të mirë mjekësor në Spitalin Universitar të Frankfurtit, gjendja e nënës u përkeqësua dhe fatkeqësisht e humbi betejën me virusin.