Një krim në familje ndodhi në Dibër, ku një 44-vjeçare vrau vjehrrën duke e goditur disa herë me thikë.
Fqinjët kanë treguar për “Ballkan Web” se kishin shkuar për ngushëllim pa e ditur se kush fshihej pas krimit. Këtë informacion ata e kishin zbuluar më vonë nga televizori.
Sipas fqinjëve, familja ishte shumë e rregullt dhe nuk njiheshin për telashe. Njëri ndër to ka treguar se 44- vjeçarja vuante nga problemet mendore.
“Shumë të mirë si familje, punëtorë, në punë të vet, në hall të vet. Se si u bë nuk e di. Njerëz shumë të urtë, të butë. Në televizor e dëgjova. Ne shkuam për ngushëllim, po nuk e dinim që e kishte vrarë. Morëm detyrat si komshi për të marrë pjesë në varrim. Nuk na thanë përse kishte vdekur. Sot e morëm vesh në televizor. Policia ka qenë mbrëmë sipas të dhënave. Nuk dimë gjë që kanë pasur konflikt. Ka katër fëmijë, një vajzë dhe tre djem”, është shprehur një banor.
"Thanë ka vdekur filania. E dimë që ka qenë sëmurë, ka qenë e vjetër, jo shumë, por me astmë. Shkuam aty, takuam njerëzit e afërt të saj, kishin ardhur vëllezërit, ngushëlluam dhe dolëm. Jashtë ishte një polic. Nuk dinim gjë për krimin, absolutisht. Nuk na thanë, sot në mëngjes e kam marrë vesh. Më pyeti një shok në telefon, e kishte dëgjuar tek News24", ka treguar një tjetër.
“Ka qenë shumë e mirë, e urtë, e sjellshme, ujin nuk e turbullonte. I kam fis të largët. Dy djemtë i ka në Itali nusja, një gocë të vogël ka këtu, një gocë e ka martuar në Bulqizë, rri në Angli. Nusja ka qenë pak me të meta. Di që nuk merrte ilace", është shprehur një tjetër banor.
