Nga Shqipëria / E Diel 11 Prill 2021, 16:04

'T’u bëfsha çarçaf', producenti shqiptar tregon si e ngacmonte partneren

Të ftuar në rubrikën “Gjysma ime” tek E Diela Shqiptare ditën e sotme ishin producenti dhe regjisori Edmond Topi dhe bashkëjetuesja e tij prej 15 vitesh, gazetarja e njohur Mirela Oktrova e cila kandidon për deputete në Bindjen Politike, në Tiranë. Çifti tregoi si janë njohur me njëri-tjetrin dhe kur filloi të konsolidohej lidhja e tyre pas përfundimit të dy martesave të mëparshme që ata kishin.

Ardit Gjebrea: Ku e ke parë Mirelën për herë të parë?

Edmond Topi: Unë studioja për dramë dhe një nga gëzimet që kishim ne kur kishim provim, ishte se vinin dy Mirela goca e profesorit dhe motra e një studenti tjetër, një Mirelë tjetër, ish-ministrja.

Ardit Gjebrea: Dhe babain e Mirelës ti e ke pasur profesor.

Edmond Topi: E kam pasur pedagog, ishte Shefi i Katedrës. Profesor Esadi ishte regjisor dhe mua më kishte zgjedhur një nga studentët, luanin pedagogët dhe disa studentë, ku një prej tyre isha dhe unë. Një ditë profesor Esadi do shkonte në Kosovë për të vënë një pjesë dhe dikush do e drejtonte shfaqen dhe më thotë një ditë “Edmond, kalo pasdite në shtëpinë time, të të jap porositë dhe filloi një tmerr. Unë e kisha ngacmuar këtë sa herë që kalonte në rrugë  me ato fjalët zhargon, t’u bëfsha çarçaf, e kështu gjërash.  Në kokën time zhvillohej ngjarja, shkoj i bie derës, hapet, del kjo dhe thotë rrugaç edhe këtu erdhe? Babii… Por në të vërtetë nuk ndodhi kështu, kjo e mbajti veten. Nuk do ta harroj, këta ishin në gjendje dhe mua më qerasën me disa karamele nga më të shtrenjtat që kishte Shqipëria.

Ardit Gjebrea: Pse?

Mirela Oktrova: Sepse aq e vlerësova (qesh).