Komiteti Teknik i Ekspertëve ka marrë vendimin që nga dita e nesërme Shqipëria nuk do të mbyllet më në orën 20:00, por në 22:00 deri në 06:00 të mëngjesit.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu u shpreh se në lirimin e masave janë marrë parasysh disa faktorë duke filluar nga ulja e numrit të infektuarve dhe fataliteteve, fluksit në spitale, por edhe muaji i Ramazanit që nis në 13 prill.
Gjithashtu janë rihapur fluturimet me Britaninë.
“Komiteti ka vendosur: Të zgjasë orën e lejuar të qarkullimit të qytetarëve nga 20:00 në 22:00 nga dita e nesërme, 12 prill. Po kështu zgjatet me 2 orë edhe aktiviteti i bareve dhe restoranteve. Por e theksoj se nuk ndryshon asgjë nga protokollet e sigurisë.
Do të vijojnë të mbeten në fuqi të gjitha masat. Masa fillon nga dita e hënë. Impkati do të monitorohet në vazhdimësi për një periudhë 2 javore. Gjithashtu Komiteti ka propozuar rihapjen e fluturimeve me Britaninë. Kemi pasur edhe një arsye tjetër që na ka motivuar në vendimin tonë, lehtësimi i agjërimit për besimtarët myslimanë që nis në 13 prill.
Masat tona kanë qenë të një natyre të shënjestruar më shumë sesa tërësore si në shumë vende, por këto masa kanë bërë që ne të shmangim situata me shifra të larta, që përndryshe pa marrjen e tyre do të kishin qenë akoma më të larta dhe kosto më të mëdha, por edhe një ngarkesë të sistemit shëndetësor që e kemi shmangur", tha ministrja.
Masat e reja që u vendosën sot nga Komiteti i Ekspertëve do të jenë në fuqi deri ditën e zgjedhjeve, 25 Prill.
