Mbrëmjen e sotme në "Dua të të bëj të lumtur" u trajtua historia e dashurisë së Gentit, djalit që u martua me vajzën që as nuk dëgjonte dhe as nuk mund të fliste.

Genti rrëfeu se ishte njohur me gruan e tij, Desdemonën nëpërmjet ndërmjetësimit të hallës së tij, e cila fillimisht nuk i kishte treguar se vajza me të cilën ai priste të lidhte kurorë e kishte të pamundur të fliste dhe të dëgjonte. Por edhe pasi ishte informuar për aftësinë e saj të kufizuar, kjo gjë nuk kishte ndikuar aspak në vendimin e tij për ta pranuar Desdemonën si bashkëshorten e tij të ardhshme.

Fillesat e kësaj marrëdhënie ishin shumë të vështira, pasi u ishte dashur që mes tyre të gjenin një mënyrë komunikimi, por më pas gjithçka u kthye në normalitet.

“Në fillim ishte shumë e vështirë që të kuptohesha me të, se ajo e ka inat të përdorë dhe gjuhën e shenjave, por pas disa kohësh u mësova me të.”,- u shpreh Genti.

Desdemona nëpërmjet ndihmës të së bijës, mori nga bashkëshorti mesazhin romantik, falenderues dhe dashamirës për gjithë këto 20 vite të kaluara së bashku: “Desdemona dua të them që unë të dua e do të të dua gjithmonë, prandaj të faleminderit dhe dua të të them që nuk ke pse bëhesh xheloze për asgjë”.

