
Teksa priste 100 mijë vaksinat kineze, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu gjatë një prononcimi nga Rinasi tha se kriza e ndodhur prej ditës së djeshme pas grevës së kontrollorëve, ka vonuar me 48 orë planin e vaksinimit në vend.
Manastirliu shprehet se në këtë mënyrë u rrezikua që Shqipëria të humbiste vaksinat pasi në momentin kur një shtet heziton për të marrë dërgesën e porositur futen në lojë shtetet e tjera.
“Ngjarja që ndodhi dje rriskoi planin për vaksinimin masiv. Falë përpjekjeve madhore të kryeministrit arritëm që 100 mijë vaksinat Sinovac të arrinim në Shqipëri. Plani ynë I vaksinimit u shty në kohë 48 orë. Imagjinoni çfarë do kishte ndodhur po të mos kishim bërë këtë përpjekje të madhe. Kur një shtet heziton për të marrë vaksinat, I merr një vend tjetër. Kemi arritur të kemi vaksinat për të nisur vaksinimin masiv. Do vijojmë me hapjen e fashës së grupmoshës +60 dhe +65 vjeç. Kemi arritur që në dy javë të kemi edhe 100 mijë vaksina të tjera që i shërbejnë vaksinimit. Nuk do ndalemi derisa edhe qytetari i fundit të jetë vaksinuar”, tha ministrja.