
Komiteti i Mbrojtjes Civile është mbledhur online për të diskutuar mbi problematikat e krijuara në Rinas, pas grevës së kontrollorëve ajrorë.
Kryetari i Komitetit, njëkohësisht dhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka vënë në dukje se në bazë të ligjit 45/2019, datë 18.07.2019 “Për mbrojtjen civile”, Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit konsiderohet infrastrukturë kritike.
Me propozim të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Komiteti i Mbrojtjes Civile ka vendosur që të merren masat e nevojshme, qoftë edhe duke zëvendësuar kontrollorët e larguar me kontrollorë të rinj ose të huaj.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është ngarkuar që të përcaktojë kriteret minimale të licensës sipas standarteve ndërkombëtare si dhe çdo kriter tjetër të nevojshëm për të rifilluar sa më parë fluturimet.
Autoriteti i Aviacionit Civil është ngarkuar të marrë të gjitha masat e nevojshme për rifillimin gradual të operimit ajror dhe në rast nevoje, të liçensojë në mënyrë të përshpejtuar kontrollorët e trafikut ajror në përputhje me urdhrin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë.
Burimi: "Top Channel"