Nga Shqipëria / E Martë 6 Prill 2021, 10:10

Pse nuk janë vaksinuar grupet e riskut? Flet Eugena Tomini

Zëvendës ministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini, ishte e ftuar sot në emisionin “ABC-ja e mëngjesit”, ku foli për aplikimin e vaksinës anti-Covid tek kategoritë e veçanta, ku përfshihen persona që vuajnë nga sëmundje kancerogjene, me kimioterapi apo edhe persona që marrin dializë…

E pyetur nga gazetari Enkel Demi, përse kjo kategori ende nuk ka marrë thirrje për të aplikuar vaksinën anti-Covid, Tomini tha se kjo vlerësohet nga ekspertët.

“Sipas ekspertëve të vaksinimit, duke vënë re edhe incidencën e Covid-19 po tek këto grupe që kanë sëmundje bashkëshoqëruese ata vlerësojnë nëse është apo jo ky grup primar për tu vaksinuar apo jo. Ndërkohë që ne nuk kemi kaluar te grupet të përcaktuara, por është parë e arsyeshme që pas personelit shëndetësor të linjës së parë ishte grupmosha me imunitet më të kompromentuar pra fasha 70+. Pra e varur edhe nga sasia dhe stoku i vaksinës do të procedohet tani e më tutje me grupet e riskut”, tha Tomini.

Tomini theksoi se virusi ka bërë një ulje të incidencës së rasteve qofshin javore apo dyjavore.

“Mutacioni britanik u dyshua që në muajin janar dhe tani jemi në muajin prill dhe mutacionet e reja mund të jenë përshtatur.

Sigurisht qarkullimi përvijon por transmetueshmëria është më e ulët. Por nëse shërbimi shëndetësor nuk do të kishte kapacitete sigurisht që masat do të ishin më shtrënguese”, u shpreh Tomini.