Nga Shqipëria / E Diel 4 Prill 2021, 20:08

Ermali dhe Ami mbajnë premtimin, pushime me dy të rinjtë që përlotën publikun në 'Dua të të bëj të lumtur'

Programi “Dua të të bëj të lumtur” solli pak javë më parë një ndër historitë më prekëse. Anitën dhe Ilirin, motër e vëlla, jeta i kishte vendosur përballë shumë vështirësive të mëdha. Brenda një kohe shumë të shkurtër, Anita dhe Iliri kishin humbur nënën e babain e tyre.

Iliri dhe Anita rrëfyen të përlotur se për ta ka qenë tepër e vështirë humbja e dy prindërve dhe se jeta e tyre ka ndryshuar totalisht. Programi “Dua të të bëj të lumtur” i surprizoi dy të rinjtë duke i sjellë idhujt e tyre, Ermal Mamaqin dhe Amarda Toskën. Çifti i ftoi të rinjtë në një udhëtim me familjen e tyre për disa ditë dhe i ofruan mundësinë që për 1 vit të plotë, Iliri dhe Anita të bëhen pjesë e trajnimit për t’u bërë të suksesshëm.

Sigurisht që Ermali dhe Ami e kanë mbajtur premtimin dhe së fundmi kanë udhëtuar së bashku me Ilirin e Anitën në Kolashin.

Ermali ka ndarë disa momente ku dy të rinjtë shfaqen të lumtur nga ky udhëtim, ku nuk kanë munguar të qeshurat e argëtimet.

"3 ditë të bukura që na bënë të gjithëve të lumtur. Faleminderit Ilir dhe Anita për këtë kohë së bashku me familjen dhe miqtë tanë. 2 të rinj special që jeta i përballi me një sfidë të jashtëzakonshme, vendosën të mos dorëzohen por të përballojnë jetën... Do i shikoni në majë të suksesit shumë shpejt. Arbana, bekime për kontributin që jep në mundësimin e lumturisë së njerëzve", shkruan Ermali.