Nga Shqipëria / E Diel 4 Prill 2021, 18:06

Pamjet madhështore/ Mbahet Parada e Mumjeve në Egjipt

Të shtunën Egjipti transportoi mumjet e 22 faraonëve në një muze të ri në një paradë të veçantë nëpër rrugët e kryeqytetit të Egjiptit, Kajros. Kjo paradë quhet Parada e Artë e Faraonëve, ku 18 mbretërit dhe katër pjesëtarë të tjerë të familjes mbretërore u zhvendosën nga Muzeu Egjiptian në Muzeun e ri Kombëtar të Qytetërimit Egjiptian.

Ngjarja u transmetua drejtpërdrejt në televizionin shtetëror të Egjiptit.  Shumica e mumjeve i përkasin Mbretërisë së Re antike, e cila sundoi Egjiptin midis vitit 1539 para Krishtit deri në vitin 1075 para Krishtit.

Mumja më e vjetër “Seqenenre Tao II”, i cili mbretëroi mbi Egjiptin jugor rreth vitit 1600 para Krishtit ishte i pari që u transportua me vagon. Pas tij ishte Ramses IX, i cili mbretëroi në shekullin e 12-të para Krishtit. Gjithashtu u transportuan Ramses II, një nga faraonët më të famshëm të vendit dhe Mbretëresha Hatshepsut.

Vagonat prej ari ishin pajisur me amortizues për udhëtimin që zgjati 40 minuta, në mënyrë që të mos ndodhte ndonjë incident.

Autoritetet mbyllën rrugët kryesore dhe kryqëzimet gjatë gjithë paradës. Parada është pjesë e përpjekjeve të Egjiptit për të ringjallur industrinë e saj të turizmit.

"Kjo paradë është një provë e madhështisë së këtij populli, ruajtja e këtij civilizimi unik që shtrihet në thellësitë e historisë", shkroi në Twitter presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sissi.

Ministri i Turizmit dhe Antikiteteve Khaled el-Anany e cilësoi paradën si "një ngjarje unike globale që nuk do të përsëritet".