Minushja, nënë e tre fëmijëve, ishte mbrëmjen e sotme në “Dua të të bëj të lumtur”, për të surprizuar vajzën e saj 13-vjeçare Lusilën.

Për shkak të problemeve ekonomike ajo ishte detyruar t’i linte vetëm fëmijët e saj për të punuar si dado në Zvicër. Përgjatë kësaj kohe, Lusila ishte kujdesur për dy vëllezërit e vegjël.

E ëma i kërkoi falje 13-vjeçares dhe i shprehu gjithë dashurinë e saj. Këngëtarja Xhensila Myrtezaj ishte e ftuar në studio për ta surprizuar, pasi Lusila ishte fansja e saj.

“Jam shumë e emocionuar përballë teje. Më kanë thënë që ti je fansja time, unë them që pas historisë që dëgjova, pas çdo sakrificave që ke bërë ti, lodhjes dhe përkushtimit ndaj më të vegjëlve të familjes, jam unë fansja jote sot. Je një vajzë shumë e fortë, shumë e bukur dhe më kujton fiks një vajzë adoleshente, e ëma e së cilës kishte probleme shëndetësore. Ajo vajzë bënte rrugën nga liceu në këmbë për të shkuar në punë, në Call Center. Rrugës shikonte moshatarët nëpër bare, por nuk ndjente zili, as keqardhje. Ndihej krenare, kështu je dhe ti”, i tha Xhensila.
Ajo i dhuroi një varse me ëngjëll, duke i thënë “E tillë je dhe ti për familjen tënde”.



