Një 74-vjeçare nga Berati humbi jetën 10 orë pas marrjes së vaksinës kineze të Koronavirusit, ndërsa një 88-vjeçar nga Tirana pas dy ditësh.
Shefja për sëmundjet infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino ka deklaruar se vaksina nuk është shkaku i vdekjes së tyre.
“Nuk është shkak i humbjeve të jetës vaksina. Jo çdo vdekje pas vaksinimit ka lidhje me të. Vaksina anti-Covid të mbron nga Covid-19, por jo nga sëmundjet e tjera", ka thënë ajo për A2CNN.
Bino ka shtuar se vaksinat janë të sigurta dhe kanë marrë autorizimin e përdorimit në vendet përkatëse.
“Vaksniat janë të sigurta sepse përpara marrjes së vaksinës në vendin tone, ka një seri dokumentash në një seri kriteresh, të cilat duhet të plotësohen. Ka edhe një komitet të ekspertëve për vaksinimin i cili i vlerëson të gjitha këto elemente dhe natyrisht kjo mbështetet në të gjitha të dhënat ndërkombëtare, në të gjitha vendet ku vaksinat janë përdorur në masë, në miliona njerëz edhe më tej nga studimet e publikuara”, është shprehur ajo.
