Një 74-vjeçare e quajtur Donika Babunja ka humbur jetën mbrëmjen e djeshme në Berat, 10 orë pasi kishte bërë vaksinën kineze “Sinovaks”. Ajo kishte shfaqur shqetësime shëndetësore në orën 16:00 dhe bashkëshorti kishte lajmëruar mjeken e familjes.
E moshuara ankohej për dhimbje barku dhe të vjella. Gjendja e saj ishte rënduar, e si rrjedhojë i shoqi kishte lajmëruar dhe urgjencën, e cila e ka gjetur të pajetë.
“ABC News” ka kontaktuar me mjeken e familjes për të mësuar më shumë detaje për ngjarjen. Ajo ka treguar se 74-vjeçarja vuante nga hipertensioni prej 16 vitesh, por ishte e rregullt në marrjen e medikamenteve.
Po ashtu, mjekja ka shtuar se bashkëshorti i saj nuk ka lejuar t’i bëhet autopsia për të zbardhur shkakun e vdekjes.
“Unë e gjeta pa frymëmarrje, pa puls. Duke qenë se e gjeta të vdekur ngula këmbë në mënyrë shumë me të shoqin që të dërgohej në morg për t’u përcaktuar diagnoza, pasi nuk vendosja dot diagnozë, por burri refuzoi në mënyrë kategorike autopsinë. U gjenda e detyruar ti merrja një deklaratë që refuzon autopsinë, pasi e kisha të pamundur ti gjeja një shkak”, ka treguar mjekja.
Burimi: "Abc News"
