Këtë të mërkurë është mbajtur mbledhja e Komitetit Teknik të Ekspertëve. Kryetarja e Komitetit, Mira Rakacolli tha se situata vazhdon të mbetet e qëndrueshme, por edhe delikate.
Ajo bëri të ditur se është vendosur që maturat të rifillojnë mësimin në shkolla, ndërsa pjesa tjetër e masave mbetet e pandryshueshme.
"Ekspertët e Komitetit vërtetë mendojnë që situata mbetet e qëndrueshme, por shifrat përsëri nuk janë aty ku duhet të jenë për të marrë masa për të liruar situatën. Mendojmë që masat e propozuara të rishikohen në një afat tjetër. Me përjashtim të faktit që duke u bazuar në shifrat e infeksionit në moshën 15-20 vjec dhe sidomos duke marrë parasysh dhe rezultatet impresionuese të vaksinimit masiv, sidomos te arsimtarët, maturat të fillojnë mësimin në klasë. Natyrisht kjo është një masë e cila do të kushtëzohet nga një monitorim shumë i kujdesshëm i shifrave dhe maturat duhet të zbatojnë protokollet e sigurisë. Masat e tjera do të mbeten njëlloj, si ora policore nga ora 20:00 deri në 6, baret dhe restorantet e mbyllura pas orës 20:00 dhe njëkohësisht shkolla do të vazhdojë online për pjesët e tjera, fluturimet me Britaninë do vijojnë të mbyllura", tha Rakacolli.
