Nga Shqipëria / E Hënë 29 Mars 2021, 08:08

E fundit/ Humb jetën nga Covid ish-kryeministri, Bashkim Fino

Ka humbur betejën me koronavirusin, deputeti i Partisë Socialiste, Bashkim Fino, 58 vjeç. Lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të Finos e ka dhënë zv.kryeministri Erion Braçe përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Tani je në qiell shoku im”, shkruan Braçe.

Burime për abcnews.al bëjnë me dije se deputeti Fino ndodhej prej dy javësh i shtruar në spital në gjendje të rëndë.

Kryeministri Rama ka reaguar gjithashtu për ndarjen nga jeta të Finos me një postim ku shkruan se sot është ditë zie dhe aktivitetet elektorale të PS do të ndalen për të nderuar kujtimin e tij.

“E pabesueshme, po shumë fatkeqësisht e vërtetë, miku im, miku ynë i mirë Bashkim Fino nuk jeton më! Nuk kam fjalë. Sot për familjen tonë të madhe është një ditë zie, aktivitetet tona elektorale do të ndalen, në nderim e kujtim të vëllait tonë të dashur”, shkruan Rama.

Bashkim Fino lindi në Tiranë, më 12 tetor 1962. Kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, dega Financë. Gjithashtu specializime për menaxhimin e pushtetit vendor në SHBA, Itali, Greqi e Finlandë. Karriera e tij politike në Partinë Socialiste është e hershme. Kulmi i karrierës së tij do të shënohej në vitin 1997, ku do të zgjidhej Kryeministër i vendit në qeverinë e Pajtimit Kombëtar, post që do ta mbante nga muaji mars deri në korrik. Z. Fino ka mbajtur disa poste ministrore.