Nga Shqipëria / E Diel 28 Mars 2021, 14:02

Arjan Sala humbi jetën mes flakëve, zbardhet ekspertiza paraprake: U rrëzua, trupi i tij është gjetur pranë...

Zjarri në magazinën e ‘Casa Italias’ i mori jetën Arjan Salës, i cili u fut për te evakuar punonjësit. Report Tv ka zbardhur ekspertizën paraprake. Gazetari Arsen Rusta ka raportuar se Arjan Sala së bashku me 2 punonjës dhe djalin e pronarit kanë tentuar të shuajnë flakët.

Mirëpo, zjarri është përhapur me shpejtësi për shkak të materialeve lehtësisht të djegshme, duke u bërë i pamundur për t’u kontrolluar vetëm me bombolën e shuarjes së zjarrit. Punonjësi dhe djali i pronarit kanë dalë nga dera kryesore, ndërsa Arjani ka tentuar të dalë nga dera e emergjencës.

Fatkeqësisht ai është rrëzuar për shkak të errësirës dhe tymit dhe nuk ka mundur të dalë dot më. Gazetari thotë se kjo vërtetohet nga djegiet e pjesshme në trup, në pjesën e krahëve dhe të këmbëve. Pjesa tjetër nuk ka pësuar dëmtime por asfiksimi i ka marrë jetën.

Trupi i tij është gjetur shumë pranë derës së emergjencës. Familjarët kanë treguar se para se të futej për të shuar zjarrin, Arjani ka shpëtuar jetën e punonjësve të tjerë në magazinë.