Nga Shqipëria / E Premte 26 Mars 2021, 17:05

'Nuk kanë as pajisje', xhaxhai i Arjan Salës flet mes lotësh: Nuk paska vdekje më të rëndë

Ndonëse kanë kaluar dy ditë, shefi i rojeve Arjan Sala nuk është gjetur ende. Ai u fut në magazinën e "Casa Italias" për të evakuar punonjësit pas shpërthimit të zjarrit, por fatkeqësisht ngeli vetë i bllokuar.

Në një intervistë për "Top Channel", xhaxhai i Arjanit ka lënë të kuptohet se magazina nuk ka pasur kushte. Ai ka deklaruar se zjarrfikësit kanë pasur dhe mungesë mjetesh e pajisjesh.

Xhaxhai lutet që të paktën të gjendet trupi i Arjanit, teksa shprehet se nuk ka vdekje më të rëndë.

"Ai ka bërë detyrën. Sic kishte pamjen e jashtme ka pasur dhe zemrën brenda. Zoti e mori se ishte i mirë. Përsa i përket a ka pasur dalje emergjence? A ka pasur hidranti ujë? A ka pasur tavani fikset që funksionojnë me ujë? A do ta ndjekë prokurori cështjen se ne nuk kemi parë njeri këtu...pastaj do flasim bashkë, kanë qenë apo s'kanë qenë. Nga ana e pajisjeve, mjeteve jemi në pikë të hallit. Kanë marrë fadromë me qira se zjarrfikësit nuk kishin fadromë në vete, u prish dhe ajo fadromë nuk u ca muri, u hap një vrimë. Elektrikun e kemi sjellë ne nga shtëpia se ata kishin disa elektrikë të vegjël që nuk shikonin. Ne presim për mrekulli, por mrekullitë jo gjithmonë ndodhin. Të paktën të kemi trupin. Djalë fantastik edhe në sjellje, familjar i rregullt me një fëmijë 2 vjecar. Te ne ka ra një gjëmë e madhe. Nuk kam fjalë për të thënë më. Vdekje paska shumë, po kjo qenka ndër më të rëndat. 30 vjec cun, me një bashkëshorte 24 vjec, me një fëmijë 2 vjecar...s'ka vdekje më të rëndë që mund të japi Zoti", tha xhaxhai i Arjan Salës, teksa në fund nuk i mbajti dot lotët.