Nga Shqipëria / E Premte 26 Mars 2021, 12:12

Nuk gjendet Arjan Sala, shefi i zjarrfikësve jep detajet e frikshme: Temperaturat arritën rreth 1 mijë gradë celcius

Pasditen e së mërkurës magazina e qendrës tregtare “Casa Italia” u përfshi nga flakët. Shefi i rojeve, Arjan Sala, i cili u fut në katin nëntokë për të evakuar punonjësit, nuk është gjetur ende ndonëse kanë kaluar dy ditë.

Një grup vullnetarësh kanë mbërritur në ndihmë të zjarrfikësve të cilët po punojnë për kërkimin e tij. Zjarri brenda në magazinë akoma nuk është fikur për shkak se ka qenë e mbushur plot me material, raporton shefi i shërbimit të zjarrfikësve në Rinas, Adem Statovci.

Ai ka shtuar se në këto kushte është e vështirë të kërkohet për të riun e bllokuar nëntokë dhe se ditën e djeshme temperatura ka shkuar afërsisht 1 mijë gradë.

“Situata është ende e vështirë. Ka zjarre të brendshme që nuk janë fikur ditën e djeshme. Po bëjmë gjithçka që është në mundësinë tonë për ta ndihmuar dhe të arrijmë në përfundimin e këtij aksidenti. Kemi ardhur me ekipe nga aeroporti i Rinasit për të ndihmuar. Kemi punuar dhe dje me ekipet e zjarrfikësve lokal. Në krahasim me dje situata është më mirë. Shumë materiale të ndezshme kanë ekzistuar në atë hapësirë. Ka qenë e stërngarkuar me material dhe qasja te zjarri është shumë i vështirë. Ka dhe pjesë muri që janë shembur. Zjarret janë të brendshme dhe s’kemi arritur t’i fikim. Besoj se gjatë ditës së sotme do përfundojmë. Puna e kërkimit të një trupi është shumë problematike sepse po merremi me fikjen e zjarrit. Shembjet, mbeturinat, raftet duhet të pastrohen, prandaj merr kohë kjo. Ditën e djeshme temperatura ka qenë afër 1 mijë gradë, saktësisht 980 gradë”, u shpreh ai për mediat.