Këtë të mërkurë është mbajtur mbledhja e Komitetit Teknik të Ekspertëve. Kryetarja e Komitetit, Mira Rakacolli tha se masat anti-Covid do të vazhdojnë të jenë të njëjtat edhe për dy javë të tjera. Një ndër këto masa është mësimi online, për të cilin studentët kanë shprehur shumë pakënaqësi.
Ata kanë bërë kërkesë që të rikthehen në auditore, por çfarë do të ndodhë? Rakacolli u shpreh se për momentin nuk është e mundur të bëhet një lirim masash pasi shifrat nuk janë treguese. Ajo shtoi se me procesin e vaksinimit mund të ulen shifrat e të infektuarve dhe atëherë mund të diskutohet për një rikthim në auditore.
“Padyshim është e vërtetë që studentët kanë kërkuar rikthimin në auditore, një kërkesë e përsëritur dhe që ne e kemi shqyrtuar. Kjo gjë varet gjithmonë në përputhje me nivelin e indikatorëve dhe niveli i indikatorëve dhe ato që ne thamë dhe shqyrtuam nuk janë akoma në atë stad që të na lejojnë ne të bëjmë një lirim masash, duke pasur parasysh që mund të rritet niveli i infeksionit. Të shohim këto dy javë. Shtimi i vaksnimit me ato ritme të cilat ne do t’i vazhdojmë padyshim mund të sjellë një ulje të numrave dhe mund ta diskutojmë edhe hapjen e auditorëve. Për momentin ky problem u diskutua dhe shifrat nuk janë treguese për ta lejuar një veprim të tillë”, tha ajo.
