Nga Shqipëria / E Diel 21 Mars 2021, 20:08

A do lirohen masat? Flet Rakacolli: Si do votohet në 25 prill

Zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli shpjegon për ABC nëse do të lejohen grumbullimet në kuadër të fushatës, nëse situata epidemiologjike do të paraqitet e ngjashme me aktualen.

“Në rast se situata epidemiologjike është kjo që është sot, indikatorët tregojnë që nuk duhet në asnjë mënyrë që të zgjerohet numri i personave që  marrin pjesë në një aktivitet së bashku, të çfarëdo lloji qoftë ky aktivitet. Kjo nuk ka të bëjë me tematikën e aktivitetit, por ka të bëjë me ruajtjen e shëndetit”.

25 prilli po afron dhe Rcakolli shprehet se procesi i votimit mund të mos përbëjë një risk shtesë për shëndetin e njerëzve. “Gjatë procesit të votimit, është e mundur që të merren të gjitha masat, që parashikon ato rregullat e shëndetit publik që të mos ketë mundësira infeksioni.

Pra, ambientet, numri i njerëzve që do të jenë brenda në një hapësirë të bollshme për atë numër njerëzish që do të jenë aty, vendosja e rregullit të qytetarit që do të votojë, është e menduar mirë dhe është e mundur deri në detaj, dhe është krejtësisht e mundshme që njerëzit të gjithë ata që dëshirojnë dhe është mirë, që të gjithë e kemi detyrë qytetare që të marrim pjesë në votime, të mos riskohen nga ky proces, të mos riskohen më tepër se sa riskojnë në jetën e përditshme” tha Rakacolli.

Ndërsa në përditësimet Covid-19 vërehet një rënie e numrit të infektuarve, Rakacolli tregon nëse kjo do të sjellë rishikimin e masave dhe heqjen e orës policore. “Padyshim që të gjitha masat janë në varësi të numrave  dhe të indiktorëve që monitorojnë situatën. Është numri i rasteve të reja ditore, pozitiviteti i testimeve të bëra, numri i të shtruarve në spital, numri atyre që janë në kujdes intensive, që është shumë e rëndësishme dhe numri i jetëve të humbura.

Ndërthurja e këtyre indikatorëve, na sugjeron ne nivelin e masave që duhen për ti mbajtur të kontrolluar këto indikatorë. Masat janë gjithmonë në përputhje me indikatorët dhe me hetimin epidemiologjik, që ka shumë elementë, por një nga elementët është gjetja e vendeve ku kanë ndodhur infeksionet.

Kjo është arsyeja që u vendos ora policore deri në orën 20.00 nga ora 22.00 që ishte më përpara, sepse u pa që një pjesë e mirë e infeksioneve është marrë në restorante pas orës 20.00. Pra në varësi të këtyre do të jenë edhe masat. Kështu që mund të qëndrojnë në këtë nivel, mund të lirohen, të shpresojmë shumë, por nëse situata përkeqësohet mund edhe të shtrëngohet” përfundoi ajo.