Nga Shqipëria / E Enjte 18 Mars 2021, 12:12

Vrau bashkëshorten shtatzënë, gjendet i vdekur 29-vjeçari nga Fieri

Është gjetur i vdekur në Fier, Demokrat Medinaj, 29-vjeçari i cili mbrëmjen e djeshme masakroi me thikë gruan e tij duke i marrë jetën. Burime për abcnews.al bëjnë me dije se i riu ka varur veten, pas krimit të rëndë. Banorët e zonës kanë njoftuar policinë pasi gjetën një kufomë në fushën ku hidhen plehrat e qytetit, në vendin e quajtur “Vija e ngjalës”.

Uniformat blu të Fierit sqarojnë se në trupin e viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa është dërguar në morg për t’iu nënshtruar një ekspertize mjeko ligjore më të specializuar.

Medinaj ishte në kërkim nga policia, pasi mbrëmjen e djeshme goditi 31 herë me thikë gruan në çdo pjesë të trupit. Çifti ishin prindër të dy fëmijëve të mitur dhe gjithçka ka ndodhur para syve të tyre. Gjithashtu u bë e ditur se e reja ishte shtatzënë në pritje për tu bërë nënë për herë të tretë. Ende nuk dihet motivi që e shtyu të riun të vriste gruan, ndërsa të afërmit kanë thënë se çifti shkonte mirë dhe se nuk kishin probleme.

Njoftimi i policisë:

Sot rreth orës 10:20, në vendin e quajtur “Vija e ngjalës”, është gjetur pa shenja jete shtetasi D. M., 29 vjeç, banues në lagjen “Sheq i madh”, Fier, i cili ishte në kërkim nga Policia pasi pasditen e djeshme ka vrarë me mjet prerës(thikë), bashkëshorten e tij.

Nga këqyrja paraprake e kufomës nuk janë konstatuar shenja dhune.

Trupi i viktimës është transportuar në morgun e spitalit për t’iu nënshtruar një ekspertize mjeko ligjore më të specializuar.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.