Nga Shqipëria / E Martë 16 Mars 2021, 17:05

E rëndë në Belgjikë/ Shqiptarja vritet nga 36-vjeçari me probleme mendore: Ma kërkoi djalli

Një ngjarje e rëndë është shënuar sot në Belgjikë. Mediat belge raportojnë se viktima është një vajzë shqiptare Xhuljeta Lala, 33 vjeçe.

Policia ka arrestuar një francez, i cili mësohet se është arratisur nga një institucion psikiatrik dhe ka pranuar krimin e rëndë. “Unë e vrava atë. E vrava se ma kërkoi djalli. Më arrestoni”, kanë qenë këto fjalët e 36-vjeçarit nga Franca.

Francezi kishte shkuar në hotelin ku punonte Lala dhe e qëlloi atë me një bombol zjarrfikëseje. 

Gjatë natës së kaluar mësohet se ka pasur kriza mendore dhe ka thënë se kishte dëgjuar djallin e më pas ishte nisur për të vrarë 33-vjeçaren.

Vrasësi kishte ecur i zhveshur në korridor, kishte marrë një bombol për të fikur zjarrin dhe hyri në dhomën ku ishte Xhuljeta. Ai nisi ta qëllonte me bombol dhe shqiptarja mësohet se ka ndërruar jetë në vend.

Ka qenë një pjesëtar i stafit të hotelit që kishte parë i pari skenën e krimit e më pas kishte njoftuar policinë. Ndërkohë vrasësi qëndronte i zhveshur në një dhomë tjetër dhe ishte gati të arrestohej, pasi kishte kryqëzuar duart.  Viktima, Xhuljeta Lala, kishte disa vite që jetonte e punonte në Belgjikë.

Burimi: tvklan.al