Nga Shqipëria / E Shtunë 13 Mars 2021, 14:02

Nisi vaksinimi i mësuesve dhe pedagogëve, Rama: Jemi afër një lajmi të madh

Ditën e sotme filloi procesi i vaksinimit për 250 mësues në shkollën “4 Dëshmorët” në kryeqytet. Duke filluar nga e hëna, vaksinimi për mësuesit dhe pedagogët do të shtrihet në të gjithë vendin. 

Manastirliu tha se me dozat e vaksinave AstraZeneca, do të ketë një vaksinim të kombinuar të mësuesve dhe të moshuarve. Kjo pasi Komiteti i Vaksinimit ka vendosur që këto vaksina të përdoren për të gjitha moshat mbi 18 vjeç.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama shtoi se jemi afër një lajmi të madh. Ai tha se shumë shpejt pritet një sasi e konsiderueshme vaksinash dhe do të vazhdojnë me vaksinimin e ushtrisë dhe policisë, me qëllim goditjen e gjithë zinxhirit që ka më shumë kontakte.

“Ju keni kaluar një periudhë të vështirë dhe keni sakrifikuar shumë me thënë të drejtën. Edhe kjo pjesa e detyruar e ndërprerjes së aktivitetit online, ju e dini shumë mirë është një alternativë por nuk është njësoj si në auditor. Dhe prandaj ne duam që sa më shpejt t’ju nxjerrim juve nga ky shqetësim. Të paktën gjithë mësuesit njësoj si mjekët dhe infermierët të mos kenë më mundësi të preken nga virusi. Ne jemi afër një lajmi të madh tani. Edhe pak ditë edhe besoj do të sjellim edhe një sasi tjetër të konsiderueshme. Të vazhdojmë me gjithë pjesën tjetër Policinë, Ushtrinë gjithë ata që kanë ndërveprim. Ata me sëmundje kronike. Të godasim gjithë pjesën e zinxhirit që ka kontakte më shumë”, u shpreh Rama.