Nga Shqipëria / E Enjte 11 Mars 2021, 11:11

Komiteti Teknik i Ekspertëve rishikon masat anti-Covid: Ja çfarë do të ndodhë për dy javë

Këtë të enjte është mbajtur konferenca e Komitetit Teknik të Ekspertëve, për të diskutuar në lidhje me situatën e Koronavirusit në vend. Gjatë konferencës, anëtarja e Komitetit Mira Rakacolli tha se masat anti-Covid do të vazhdojnë të jenë të njëjtat edhe për dy javë të tjera. Mësimi do të vazhdojë online, fluturimet me Britaninë do vazhdojnë të jenë të pezulluara dhe ora policore mbetet nga ora 20:00 deri në 6:00.

"Situata paraqitet e qëndrueshme dhe ajo tendencë ulje e cila është vënë re disa javë më parë vazhdon të mbetet e tillë. Masat, të cilat janë shqyrtuar me shumë vëmendje, kanë dhënë efikasitetin e tyre dhe ne do të vazhdojmë t'i mbajmë edhe për një periudhë kohe dy javore. Pra ora policore do vazhdojë të jetë nga ora 8 deri në 6 të mëngjesit, mësimi online dhe pezullimi për fluturimet me Britaninë”, tha Rakacolli.