Mbrëmjen e sotme në “Dua të të bëj të lumtur” u trajtua historia e Paolës, vajzës nga Lezha, e cila për vite të tëra ishte dhunuar psikologjikisht nga shoqëria e saj. Prindërit e Paolës ishin ndarë vite më parë, pasi babai kishte ushtruar dhunë fizike mbi të dhe mamin e saj, Lilianën. Gjendja ekonomike, puna e së ëmës, mënyra si jetonte, ishin disa nga arsyet pse miqtë e saj e bullizonin prej vitesh.

E ndodhur në një situatë të vështirë, Paola kishte menduar të lëndonte veten. Të gjitha këto u rrëfyen nga e ëma, e cila kishte zgjedhur “Dua të të bëj të lumtur” për t’i dhënë një mesazh të bijës. “Dua që të bëhesh e fortë dhe të mos dëgjosh se çfarë të thonë të tjerët. Unë jam këtu për ty e do jem gjithmonë duke të mbështetur! Prandaj mos u mërzit më", i tha ajo.

Ndërkohë, Paola rrëfeu vështirësitë e saj duke thënë: “Kam rënë pre e bullizmit shumë e vogël dhe u lëndova shumë. Më lëndonin, më përbuznin për fatkeqësitë që më kishin ndodhur në jetë. Pavarësisht përpjekjeve të mia që ata të ndalonin, kjo gjë nuk ndodhi kurrë. Jeta më dukej e kotë, sepse askush nuk po më përkrahte, aq sa arrita të mendoja vetvrasjen.”
E ftuara surprizë për vajzën ishte këngëtarja Mariza Ikonomi, e cila shumë vite më parë ishte bullizuar gjithashtu.

“Ne në jetë zhgënjehemi nga shumë njerëz, por kurrë mos e humb besimin në vetvete. Teksa dëgjoja historinë tënde m’u kujtua vetja ime, sepse dhe në fillimet e mija njerëzit më paragjykonin për zërin, por sot e shoh si një veçanti, prandaj kurrë mos hiq dorë!”, i tha Mariza.

Burimi: "Top Channel"
