Nga Shqipëria / E Enjte 25 Shkurt 2021, 12:12

E fundit/ Komiteti Teknik merr vendimin për masat anti-Covid

Këtë të enjte është mbajtur mbledhja e Komitetit Teknik të ekspertëve, për të bërë të ditur masat në lidhje me Koronavirusin.

Kryetarja e Komitetit, Mira Rakacolli ka deklaruar se do të mbeten në fuqi masat kufizuese të dy javëve të para. Ora policore nuk do të ndryshojë dhe do vazhdojë të jetë nga 20:00 deri në 06:00.

Po ashtu, Rakacolli tha se mësimi në gjimnaze në vendet e përcaktuara më parë dhe mësimi në universitete do të vazhdojë online. Ajo shtoi se këto masa kanë dhënë efekt.

“Duket se situata në vend është delikate një situatë që meriton vëmendje por duket se nga shifrat kemi një situatë të qëndrueshme dhe në ditët e fundit ka një tendencë ulje të indikatorit R nga 1.1 në 1.05. Masat të cilat u propozuan para dy javësh kanë filluar ta japin efektin e tyre, ndaj mbetemi aty, duke i vlerësuar më ngushtësisht në kohëra më të ngushta efikasitetin e kësaj tendence ulje. Pra po e përsëris masat që vazhdojnë të ngelen në fuqi, janë ato të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve, duke nisur nga ora 20:00 deri në 06:00.

Shkollat e mesme në ato vende të cilat u përcaktuan në 2 javëshin më përpara do të vijojë online. Dhe universitetet do të vijojnë online, përveç provimeve të kombinuara. Fluturimet me Britaninë e Madhe vijojnë të mbeten të pezulluara. Thirrje qytetarëve, situata është delikate, duke qenë optimistë për këtë tendencë të lehtë uljeje të vazhdojmë të respektojmë masat dhe rregullat e higjienës”, tha Rakacolli. 

Burimi: "Ballkan Web"