Nga Shqipëria / E Martë 23 Shkurt 2021, 14:02

Apeli liron nga burgu bashkëpunëtoret e Tires

Gjykata e Apelit ka liruar nga burgu dy nga katër të arrestuarat në  spitalin Covid 2, të cilat akuzoheshin se kishin bashkëpunuar me sanitaren Tire Alldervishaj.

Burime për "abcnews.al" bëjnë me dije se në vendimin e kësaj të marte gjykata e Apelit ka liruar infermieren Sidorela Çela dhe sanitaren Rukie Hoxha dhe ka vendosur ndaj tyre masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Për dy infermieret e tjera Mira Bushin dhe Sheqerie Koci, gjykata ka vendosur mospranim ankimi.

Në deklaratën e saj për mediat avokatja e infermieres dhe e sanitares së arrestuar, Antoneta Sevdari, ka thënë se prokurori nuk kishte evidentuar veprimin apo mos veprimin. “Detyrim për t’u paraqitur e mbështesim vendimin e gjykatës. Prokurori nuk kishte evidentuar veprimin apo mos veprimin. Vetë vendimi i gjykatës dilte në konkluzionin se nuk kishin bashkëpunuar me Tire Alldervishin. Vendimi i gjykatës është i drejtë”, tha ajo.