Nga Shqipëria / E Diel 21 Shkurt 2021, 14:02

Çifti shqiptar, jehonë në mediat amerikane, shërbyen qindra vakte falas për banorët e Teksasit

Kushtet e acarta të motit në Teksas bënë që miliona njerëz të mbeteshin pa energji elektrike, ngrohje e ujë të pijshëm. Çifti i bashkëshortëve, shqiptarë nga Kosova, Ari Isufaj dhe Blinera Shurreca, pronarë të restorantit Bella Italia vendosën të përgatisnin vakte të ngrohta ushqimi për më shumë se 500 persona.

Gjesti i tyre human ka marrë vëmendjen e mediave amerikane.

Isufaj tha për Fox News se klientët besnikë ishin ata që e mbrojtën restorantin e tyre nga falimentimi gjatë krizës së pandemisë dhe tani ai donte shumë që t’i kthente favorin.

“Nisëm të afrohemi akoma dhe me tepër me klientët tanë që kur nisi pandemia e koronavirusit. Ata na mbështetën vërtet shumë”.

Blinera nga ana e saj lavdëroi mbështetjen e jashtëzakonshme dhe donacionet nga i gjithë vendi për komunitetet e Teksasit të goditura rëndë prej pandemisë.