Mbrëmjen e sotme në programin “Dua të të bëj të lumtur”, u trajtua historia e Izabelës dhe debati mes tezes së saj, Shqipes dhe nënës së saj, Verës. Sipas Izabelës, Vera dhe Shqipja kishin qenë gjithmonë shumë të afërta me njëra-tjetrën dhe se duheshin shumë, por kohët e fundit ato ishin zënë për shkak të një pale të tretë.

Konflikti midis dy motrave kishte nisur kur Shqipja kishte martuar para 1 viti djalin e saj dhe Vera me familjen e saj nuk kishin qenë prezent në ketë dasmë.
Sipas Izabelës e gjithë ngatërresa kishte ndodhur më parë. Dhëndri i Verës kishte një kompani ndërtimi në Norvegji dhe kishte punësuar djalin e Shqipes. Ata jetonin në një shtëpi në Norvegji, por me kalimin e kohës, djali i Shqipes ishte kthyer në Shqipëri dhe kishte vendosur që të martohej. Në këtë moment sipas Izabelës kishte nisur i gjithë konflikti, pasi dhëndri i Verës nuk i kishte dhënë pagesën djalit të Shqipes të cilit i nevojiteshin paratë për të bërë dasmën.

Izabela për të zgjidhur këtë konflikt kishte dërguar dy ftesa, një për nënën e saj, Verën dhe një tjetër për Shqipen.
“Mami unë e di që ti nuk shkon mirë me teze Shqipen, por dua të të kërkoj që për hatrin tim të pajtoheni sa më shpejt”, i tha Izabela nënës së saj, Verës.

Vera pranoi kërkesën e vajzës së saj dhe i’u drejtua Shqipes me këto fjalë: ”Motër më fal për çdo gjë që të kam bërë, sepse kur kishe dasmën e djalit unë nuk të erdha.”
Nga ana tjetër, Shqipja rrëfeu se nuk e priste kurrë që Vera të mos i vinte në dasmë, por pavarësisht gjithçkaje, Shqipja e pranoi faljen e motrës së saj duke u pajtuar pas 1 viti.

Burimi: Topchannel
