Me datë 2 korrik të vitit që lamë pas, ngjarja tragjike në Kombinat ku nënë e bijë u vetëflijuan tronditi mbarë opinionin publik. Zhaneta dhe Anisa Josifi i dhanë fund jetës, duke besuar te ringjallja dhe një jetë më e mirë. Ndërkohë, vajza tjetër e familjes, 34-vjeçarja Blerta Josifi u shtrua në spital psikiatrik.

Teksa muajt kalojnë, Blerta po i rikthehet jetës normale. Rreth një muaj më parë, ajo është punësuar si arkiviste në Arkivën e Shtetit, ndërsa po qëndron në banesën ku humbi nënën dhe motrën e saj.
Ndërkohë, psikologia Lorela Garuli është shprehur se individët që kalojnë trauma të tilla duan një kohë të gjatë që të mund të trajtohen. Ajo ka treguar për "Ballkan Web" se punësimi është një mënyrë e mirë për rehabilitimin e individëve, por duhet të jenë në kujdesin e profesionistëve.

“Nëse do i referohemi përvojave dhe jashtë ka qendra të mirëfillta ku këta individë mund të qëndrojnë nga 3-6 muaj deri në 1-3 vite. Kjo nuk është për paragjykim, por është që në momentin kur t’i rikthehen jetës normale të jenë sa më mirë, për veten por edhe për komunitetin. Mendoj se duhet parë më mirë pjesa e shëndetit të saj mendor. Unë flas parimisht se nuk e njoh nga afër. Ndërmjet punës fillon të rehabilitohet, ndihet pak më mirë, pjesa e komunikimit mund të jetë terapi individuale apo në grup. Ka faza të mira por ka dhe rikthime depresive apo maniakale”, tha ajo.
