Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët e Fierit, kryeministri Edi Rama ka lajmëruar se spitali që po ndërtohet në Fier nga Republika e Turqisë do të jetë publik.
Ai tha se ky spital do të jetë i pari ku do të pilotohet autonomia spitalore. Çfarë do të thotë kjo? Ministria e Shëndetësisë nuk do të luajë rol në administrim, por vetëm rol aprovues dhe monitorues.
“Spitali i Fierit do të jetë spital publik. Do të jetë njësoj si spitalet tona publike. Do të jetë pa pagesë siç janë spitalet tona publike. Jo spital privat, jo spital me ndonjë faturë ekstra për njerëzit. Gjithë logjistika do të vijë nga Turqia, por do të jetë një qendër e transferimit të dijes. Për një periudhë tranzicioni 1-3 vite do të shërbejnë 50 persona personel turk dhe 320 persona personel shqiptar. Personeli turk do të ketë që nga drejtuesi, menaxherët, shefat e pavijoneve, mjekët specialistë, infermierë, kryeinfermierë. Personeli shqiptar do të përzgjidhet nga personeli i Fierit dhe më gjerë se sa Fieri mbi bazën e një testi që do të bëhet nga menaxhimi turk.
Spitali rajonal Memorial siç kemi vendosur ta quajmë do të jetë i pari ku do të pilotohet autonomia spitalore. Faza tjetër e reformës shëndetësore që e kemi prezantuar qysh më herët. Nuk do të jetë më Ministria e Shëndetësisë që do të luajnë një rol në administrim që do të përcaktojnë organikë, funksione etj., etj. Do të kalojnë në një rol aprovues dhe monitorues. Nuk do të jetë pjesë e administrimit të sistemit. Do të ketë një sistem pagash që vlerëson atë që ka më shumë kontribut sipas kritereve, më shumë operacione, më shumë vizita duke bërë atë që është bërë në shumë vende, është bërë edhe në Turqi", tha Rama.
