Mëngjesin e sotëm, pedagogu i Universitetit "Eqerem Çabej" në Gjirokastër, Luis Seiti ka humbur jetën nga Koronavirusi në moshën 41- vjeçare.

Lajmin është bërë i ditur në faqen zyrtare të Universitetit, me një homazh për të ndjerin.
"Homazh për Luiz Seitin!
Universiteti "Eqrem Çabej" njofton humbjen e një prej njerëzve të vet më të mirë, një prej bashkëpunëtorëve më të aftë të institucionit tonë, Përgjegjësit të Marrëdhënieve me Jashtë dhe Kërkimit Shkencor.
Luiz Seiti u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme në moshën 41- vjeçare pas infektimit nga Covid 19.
Ai u lind në 22 mars 1980 në Gjirokastër. Pas mbarimit të shkollës së mesme "Asim Zeneli" ai ndoqi studimet e larta për Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, ku u diplomua në vitin 2002. Gjithashtu në vitin 2006 u diplomua në të njëjtin Fakultet për degën e Kontabilitet – Financës. I specializuar në disa institucione brenda dhe jashtë vendit.
Gjatë jetës së tij Seiti ka pasur një veprimtari të gjerë duke dhënë kontributin e tij në disa pozicione në institucione shtetërore, private dhe ndërkombëtare si:
përkthyes në Komisionin Monitorues të BE – së në vitet 2006 – 2007;
pedagog i gjuhës angleze në universitetin "Eqrem Çabej";
shef finance në Zyrën e Administrimit dhe Koordinimit të Gjirokastrës;
specialist turizmi në zyrën e administrimit Butrint;
koordinator projektesh të Bashkimit Evropian.
Prej vitit 2013 ai mbante pozicionin e specialistit të marrëdhënieve me jashtë dhe prej vitit 2018 mbulonte edhe pozicionin e specialistit të Kërkimit Shkencor në universitetin "Eqrem Çabej" ku ka dhënë një kontribut të veçantë në marrëdhëniet institucionale mes universitetit tonë dhe institucioneve të ndryshme ndërkombëtare.
Luiz Seiti, së fundmi, ishte kryetar i grupit të vlerësimit të brendshëm në kuadër të akreditimit, proces të cilit po i nënshtrohet universiteti ynë gjatë këtij viti. Edhe gjatë periudhës së karantinimit ai nuk rreshti asnjë ditë duke bashkëpunuar me pjesëtarët e tjerë të stafit për plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm.
Ngushëllime të sinqerta familjes për këtë humbje të rëndë!"
"Abc News" ka shkruar se pedagogu nuk vuante nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese dhe se prej ditësh po merrte mjekim në ambientet e shtëpisë së tij.

