Nga Shqipëria / E Martë 9 Shkurt 2021, 14:02

Rritja alarmante e rasteve me Covid/ Rama paralajmëron shtrëngim masash

Në komunikimin e zhvilluar ditën e sotme për situatën e koronavirusit, kryeministri Rama  tha se rritja e rasteve nuk do të shmangej nëse masat aktuale do të vijojnë të mos zbatohen.

Rama paralajmëroi shtrëngim të masave dhe për këtë çështje do të ketë një njoftim nga Komiteti Teknik i Ekspertëve ditën e nesërme.

"Masat i sugjerojnë ekspertët dhe ne veprojmë pasi i kemi dëgjuar. Mund të them se nuk mund të jetë ilaçi më i dëmshëm se sa vetë sëmundja. Këtu ka një kompleks çështjesh që duhen mbajtur parasysh, jeta e njerëzve, psikologjia, ekonomia dhe duhet të jemi shumë në ekuilibër. Ne nuk jemi të shqetësuar për numrat, por se mos mungesa e zbatimit të masave mund të çojë në rritje të numrave përtej parashikimit. Nëse ne nuk do të kishim marrë masat që u morën për festat e fundvitit nuk do të kishim të njëjtën situatë. Këto janë efektet e uikendeve masive.

Megjithatë jeta vazhdon dhe ne nuk mund ta ndalojmë, nuk mund të rrimë mbyllur brenda dhe të presim të ikë virusi. Por çështja është se sa njerëzit do të jenë respektues të masave dhe do të ketë një shtrëngim të masave. Komiteti do të ketë një mbledhje nesër, por thelbi është që të zbatohen masat që janë. Nëse nuk respektohen masat ne mund të shtojmë të tjera, por nëse nuk zbatohen, atëherë është po njësoj”, tha Rama.